Hoti: Koha për bashkim dhe vizion të ri brenda LDK-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore duke falënderuar qytetarët dhe anëtarësinë e LDK-së për mbështetjen dhe përkushtimin e treguar ndaj partisë.
Hoti ka theksuar se rezultati i arritur nuk e reflekton potencialin real të LDK-së, por sipas tij, kjo nuk e zbeh aspak punën, angazhimin dhe sakrificën e anëtarëve dhe strukturave të partisë në të gjithë Kosovën. Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për kryetarin Lumir Abdixhiku, kryesinë, degët dhe nëndegët e LDK-së, duke vënë theksin te roli i anëtarësisë besnike që, sipas tij, e mban partinë gjallë edhe në periudha sfiduese.
Në reagimin e tij, Hoti ka falënderuar gjithashtu qytetarët që me votën e tyre i dhanë besimin për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke theksuar se ky besim është më i madh se në zgjedhjet e shkurtit 2025. Ai ka nënvizuar se kjo mbështetje përbën obligim për angazhim të shtuar në fuqizimin dhe ringritjen e LDK-së.
Statusi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Të dashur anëtarë besnik të LDK-së,
Ju falënderoj thellësisht për mbështetjen dhe përkushtimin ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rezultati që arritëm nuk e pasqyron potencialin që kjo parti ka. Ky rezultat nuk e zbeh aspak vlerën e angazhimit, sakrificës dhe punës së jashtëzakonshme që është bërë nga çdo anëtar i LDK-së në gjithë Kosovën. Për këtë, shpreh mirënjohje, respekt dhe falënderim për punën e përkushtimin gjatë gjithë kësaj kohe të të gjitha strukturave drejtuese të LDK-së: Kryetarit Lumir Abdixhikut, kolegëve të kryesisë, degëve e nëndegëve anekënd Kosovës. Mirënjohja ime shkon para se gjithash për anëtarësinë besnike që e mban LDK-në gjallë edhe në kohë sfiduese.
Ju shpreh mirënjohjen time të thellë të gjithë juve që me votën tuaj më dhatë besimin për t’ju përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky besim, më i madh se në zgjedhjet e shkurtit 2025, nuk është vetëm mbështetje personale – është obligim për tu angazhuar krahas gjithë kolegëve të LDK-së në fuqizimin dhe ringritjen e shtëpisë tonë politike.
Ky besim dëshmon se anëtarësia dhe elektorati i LDK-së kërkojnë forcim të vlerave themeltare mbi të cilat kjo parti është ndërtuar: demokracinë e brendshme, guximin politik, vizionin shtetformues dhe orientimin e palëkundur euro-atlantik. Këto vlera nuk janë kujtim i së kaluarës – ato janë domosdoshmëri për të ardhmen dhe për kthimin e LDK-së në vendin që i takon: në ballë të proceseve demokratike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës.
LDK ka lindur dhe është rritur si lëvizje përbashkuese rreth qëllimeve më fisnike kombëtare – lirisë, pavarësisë dhe demokracisë të Republikës së Kosovës. Sërish do të bashkohemi për të ruajtur e fuqizuar demokracinë e shtetësinë e Kosovës, e për ta integruar Kosovën në strukturat euro-atlantike.
LDK ka nevojë për unitet të brendshëm, ndërkohë që siguron ballafaqim të hapur të ideve për të ardhmen e saj. LDK-ja ka nevojë për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës në këtë organizatë politike të jashtëzakonshme, e cila përbën vlerë dhe domosdoshmëri për demokracinë e vendit tonë.
Me përulësi ndaj besimit që më keni dhënë dhe me vendosmëri për të ardhmen, unë do të vazhdoj, krahas kolegëve të mi të shumtë, të jem në shërbim të LDK-së për fuqizim të demokracisë, shtetësisë dhe zhvillimit e integrimit euro-atlantik të Republikës të Kosovës. Jam i bindur se kur LDK-ja është e bashkuar dhe e udhëhequr me vizion, ajo di të ringrihet, t’i shërbejë vendit dhe bashkë me të, të fitojë.
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!
Zoti e bekoftë popullin tonë!

