Hoti: Kosova, tash për tash, qëndron më mirë se Suedia sa i përket Covid 19

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka bërë një krahasim në mes të shtetit të Suedisë dhe Kosovës, kjo sa i përket menaxhimit të pandemisë Covid19, transmeton Indeksonline.
Ai ka thënë se tash për tash, Kosova qëndron më mirë sa i përket koronavirusit, marrë parasysh numrin e viktimave.
Ky është postimi i plotë i tij:
Suedia dhe Kosova
Covid-19/ Një (pa) krahasim të dhënash
Sistemi shëndetësor i Suedisë është në mesin e sistemeve
shëndetësore më të zhvilluara në botë.
Suedia renditet në mesin e pesë vendeve të para në
botë për sa i përket vdekshmërisë së ulët të foshnjave.
Është një nga shtetet me mirëqenien më të lartë në
botë, me investime të larta në këtë fushë dhe me një sistem arsimor në nivel
gati të së përkryeres.
Deri tash ka aplikuar një qasje
të lirë sa i përket menaxhimit të pandemisë Covid, duke mos vënë kufizime në
lëvizjen e njerëzve sikur shumica e shteteve të tjera.
I ka 10.333 456 banorë. Deri tash i ka 1580 të vdekur, 40 veç sot. Apo, 153 të
vdekur në 1 milionë banorë.
Kosova, në anën tjetër, ka një sistem shëndetësor që me asgjë nuk mund të krahasohet me atë të Suedisë, ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë perinatale të foshnjave në Evropë, një nënfinancim të skajshëm, derisa në situatë të ngjashme janë edhe sistem social dhe ai arsimor.
Në Suedi në 1 km katror jetojnë
vetëm 23 banorë, në Kosovë 159.
Nuk është e njëjtë që në kushtet e një “bashkëjetese” me një virus që
në një hapësire të njëjtë të jetojnë si 23 si 159 veta.
Kosova, tash për tash, qëndron më mirë se Suedia sa i përket Covid 19 vetëm sa i përket numrit të vdekurve në 1 milionë banorë (6.6 të vdekur në 1 milion banorë në Kosovë) që mund të lidhet deri diku me popullsinë shumë më të re se që e ka Suedia.
Bazuar në këto të dhëna, kemi të bëjmë me dy shtete që nuk ngjasojnë me asgjë, përveç me dy ngjyra të përbashkëta të flamurit.