Hoti: Kurti ia paska transferuar tokën Manastirit të Deçanit për hatër të Rashiqit
Deputeti Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për ndryshim të qëndrimit lidhur me çështjen e tokës së Manastiri i Deçanit, duke thënë se vendimi që dikur konsiderohej “tradhti”, sot po zbatohet pa hezitim.
Përmes një reagimi në facebook, Hoti u shpreh se për vite me radhë Kurti kishte përdorur retorikë të ashpër kundër faljes së tokës për manastirin, duke e cilësuar atë si tradhti ndaj shtetit.
Sipas tij, deklaratat e fundit e ministrit, Nenad Rashiq, tregojnë se vendimi për transferimin e 24 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit është marrë me lehtësi.
“Për vite u fol për “tradhti” dhe “falje të tokës për manastirin”. Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: “Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd.” Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë Kryeministër u bë lehtësisht për hatër. Kaq “serioze” është vendimmarrja shtetërore e Kurtit. Hi syve për qytetarët, ndërsa vendime të kundërta e për hatër në prapaskenë”, ka shkruar Hoti./IndeksOnline/

