13:21 / E Enjte, 13 Gusht 2020

Hoti: Masat kufizuese DUHET të respektohen DETYRIMISHT, inspektorati dhe policia janë në shërbim 24 orë pa pushim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare Facebook, duke folur për sitautën pandemike në vend, ka thënë se numri i të infektuarve mbetet i lartë po ashtu edhe i vdekjeve.

Kryeministri ka thënë se masat kufizuese duhet të respektohen detyrimisht e për këtë inspektorati dhe policia janë në shërbim 24 orësh.

Ky është postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Situata epidemiologjike në Kosovë është e rëndë. Numri i rasteve të infektuara mbetet i lartë, rastet e vdekjeve janë të shumta dhe të dhembshme.

Masat kufizuese DUHET të respektohen DETYRIMISHT. Inspektorati dhe policia janë në shërbim 24 orë pa pushim. Mjekët, infermierët dhe stafi mbështetës janë të sfilitur, por në ballë të detyrës dhe në rrezik permanent për jetën e tyre.

Megjithatë, beteja me këtë pandemi nuk fitohet vetëm nga mjekët, infermierët, policia dhe inspektorati. Kjo është betejë e të gjithëve neve, e secilit qytetar.

Duhet vetëdijesim i lartë për të ruajtur shëndetin publik, ndryshe do të përballemi me situatë dëshpëruese.

Duhet të gjejmë kurajo për fëmijët tanë, që duhet të fillojnë mësimin së shpejti, si dhe për prindërit tanë që po vuajnë më së shumti.