75 Mall Live Search
18:06 / E Hënë, 16 Nëntor 2020 / Blerim

Hoti në BQK: Qytetarët dhe bizneset besojnë në qëndrueshmërinë e sistemit bankar në Kosovë

​Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, kanë vizituar Bankën Qendrore të Kosovës, ku janë pritur nga Guvernatori Fehmi Mehmeti.

 Kryeministri Hoti, ka deklaruar se ndihet mirë për informatat premtuese për stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar në vend, me rritje vjetore të aseteve prej  rreth 10 për qind në 7.5 miliardë euro, me rritje të kredive në 3 miliardë euro që është rritje prej 7.2 për qind në baza vjetore kur krahasohen me vitin e kaluar, rritje të depozitave gjithashtu prej 11 për qind, që tregon se qytetarët dhe bizneset besojnë në qëndrueshmërinë e sistemit bankar në Kosovë.

Kryeministri Hoti dhe Guvernatori Mehmeti kanë biseduar edhe për bashkëpunimin e ngushtë që duhet të ketë  Qeveria me Bankën Qendrore të Kosovës në masat e reja për rimëkëmbjen ekonomike nga janari i vitit të ardhshëm.

“Është më së e qartë që ne do të përballemi  me këtë pandemi përtej dhjetorit të këtij viti. Deri në fund të dhjetorit ne praktikisht e mbështesim ekonominë e Kosovës me rreth 5 për qind të bruto produktit vendor në kuadër të Fondit për Rimëkëmbjen Ekonomike prej 365 milionë eurove”, tha kryeministri Hoti. Ai theksoi se me buxhet është paraparë vazhdimësia e këtij fondi për vitin e ardhshëm  në shumën prej 182 milionë euro si ndihmë për bizneset dhe për qytetarët.

 Kryeministri Hoti në takim  me guvernatorin e BQK-së Mehmeti, ka biseduar edhe për ndihmën për Fondin për Garanci Kreditore dhe bashkëpunimin për të ulur numrin e veturave të paregjistruara, në mënyrë që në janar, të fillohen bisedat e nevojshme për ta bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër.