14:09 / E Shtunë, 23 Janar 2021 / OSH

Hoti në Pejë “diss” VV-së: Po donë me u çmend, këta nuk e meritojnë të vijnë në pushtet

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti sot vizitoi Pejën.

Në tubimin që po e mban atje, Hoti ka thumbuar Lëvizjen Vetëvendosje, transmeton Indeksonline.

Ai u shpreh se LDK-ja do të sigurohet që parti si LVV-ja të mos vijë në pushtet.

“Jam krenar që me qasje bazuar në filozofinë e LDK-së kemi arritur rezultate, me të cilat mburremi. Kemi menaxhuar 3-4 procese të ndieshme.”

“Me Paketën e rimëkëmbjes ekonomike më të madhe në rajon, e kemi përgjysmuar efektin negativ të pandemisë. Pa masat ekonomike, do të kishim shumë vështirësi. Veç ne kemi pasur mundësi që t’i hapnim të gjitha dyert.”

“Më lejoni të tregoj një fakt, 2020-n ishte viti më produktiv në bujqësi, për faktin e thjeshtë, që kemi dyfishuar subvencionet, që i kanë shtyrë njerëzit që të merren me bujqësi. “

“Kanë bërë gjithçka për me degradu këtë marrëveshje (e 4 shtatorit), e cila u konfirmua prapë nga administrata e Bidenit, një marrëveshje që ka sjell një njohje të re dhe një miliard dollar investime. Një marrëveshje që këta të tjerët nuk e kishin parë ëndërr, se nuk ka kush flet me ta.”

“Janë duke e parë vetëm një imazh të mundësisë për pushtet, vetëm imazh se nuk do të munden, më besoni. Me këtë imazh, i kanë rënë në qafë KQZ-së si komision i pavarur, duan me çmendë. Këta nuk e meritojnë të vijnë në pushtet. Ne do të sigurohemi që këta të mos vijnë në pushtet. Unë ju tregoj një gjë, që jam i bindur, njerëzit nuk kanë me votu si një llajk në Facebook por ku shkon te kutitë e votimit, do të votojnë me zemër. I ftoj qytetarët e Kosovës që kur të dalin para kutive të votimit t’ju dalë para syve lista e LDK-së dhe me i pas parasysh njerëzit e listave të tjera. Kurrë nuk ka ndodhur që të mos certifikohen listat zgjedhore, dje ka ndodh për herë të parë në 20 vjetët e fundit. Janë njerëz që nuk respektojnë rendin demokratik, rendin kushtetues”, u shpreh ai./Indeksonline/