16:50 / E Diele, 23 Shtator 2018 / indeksADMonline

Hoti: Në qeverinë e ardhshme të udhëhequr nga LDK, do punojmë për konsensus të dialogut

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se dialogu nuk mund të udhëhiqet nga një qeveri e pakicës, që diktohet në veprime nga vullneti i partnerëve të vegjël të cilët e majnë në këmbë.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se udhëheqjen e dialogut duhet ta marrë përsipër një qeveri e fuqishme me bazë të gjerë, bazuar në mandat të qartë nga Kuvendi i Kosovës dhe se kjo mund të arrihet vetëm pas zgjedhjeve të lira.

Ky është postimi i tij:

Dialogu mund të udhëhiqet vetëm nga institucione përfaqësuese dhe legjitime, që flasin në emër të shumicës së qytetarëve të Kosovës. Dialogu nuk mund të udhëhiqet nga një qeveri e pakicës, që diktohet në veprime nga vullneti i partnerëve të vegjël të cilët e mbajnë në këmbë.

Kryeministri nuk ka asnjë fuqi politike për të udhëhequr këtë proces, e as fuqi për të deleguar këtë autoritet tek dikush tjetër. Është e qartë se ai mund të flasë vetëm në emrin e partisë së tij, por jo në emër të Qeverisë, e cila është copëtuar në zona të interesit.

Udhëheqjen e dialogut duhet ta marrë përsipër një qeveri e fuqishme me bazë të gjerë, bazuar në mandat të qartë nga Kuvendi i Kosovës. Kjo mund të arrihet vetëm pas zgjedhjeve të lira, të cilat do të prodhojnë një qeveri stabile.

Në qeverinë e ardhshme, të udhëhequr nga LDK-ja, ne do të punojmë sado që është e nevojshme me të gjitha forcat politike për të arritur konsensus për dialogun. Sepse ky proces nuk i takon vetëm një partie apo vetëm qeverisë./Indeksonline/

 

Temat: