75 Mall Live Search
13:38 / E Mërkurë, 10 Shkurt 2021 / Blerim

Hoti: Oponentët tanë ishin kundër Planit të Ahtisarit që solli pavarësinë e Kosovës

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, gjatë një tubimi elektoral në Viti, tha të mërkurën se oponentët tanë politikë, asnjëherë nuk kanë besuar në projektin e pavarësisë së Kosovës. Madje, në shkurt të vitit 2008 ata nxorën protestuesit në rrugë, ku u vranë qytetarë të pafajshëm, pasi që nuk besonin në Planin e Ahtisaarit që solli pavarësinë e Kosovës.

“Ata edhe sot janë kundër aleancave tona me partnerët amerikanë dhe evropianë. Ata ishin kundër Marrëveshjes së Rambujesë, që solli lirinë e Kosovës, ata ishin kundër Planit Ahtisaari që solli pavarësinë e Kosovës, ndërsa vitin e kaluar ishin kundër Marrëveshjes së Uashingtonit që solli 1 miliard investime në Kosovë, njohjen nga Izraeli, heqjen e sanksioneve amerikane dhe përfshirjen e FSK-së në misione paqësore”, tha Hoti.

“Lidhja Demokratike, për 30 vjet, ka qenë në ballë të proceseve të vështira të lirisë, shtetndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës. Në gjithë historinë tonë prej tri dekadash, nuk jemi shmangur asnjëherë nga përgjegjësitë shtetërore. Gjithmonë kemi mbrojtur shtetin dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Këtë kulturë politike e kemi të trashëguar nga arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Presidenti Rugova”, tha Hoti.

Ai shtoi se kështu vepruam edhe në pranverën e vitit të kaluar, kur e ndaluam një qeverisje që nisi të dëmtonte shtetin dhe morëm përgjegjësinë për të qeverisur në momentet më të vështira në 20 vjetët e fundit, pasi që ne ishim të vendosur që të mos lejonim cenimin e miqësisë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoti tha se gjatë qeverisjes suaj me duar të pastra, Vitia ka ndryshuar komplet pamjen.

“Kryetari Haliti është një njeri tipik i kuadrove të LDK-së, që flasin pak e punojnë shumë për interesat e qytetarëve. Ne nuk jemi si oponentët tanë të kuq, që i rrahin qytetarët, siç bëri kryetari i partisë linçuese, në Podujevë. Asnjëherë, kurrë, asnjë kryetar komune i LDK-së nuk ka pasur asnjë përleshje verbale me ndonjë qytetar, e të mos flasim për dhunë fizike siç po përdor Shpejtim Bulliqi në Podujevë”, shoi kryeministri Hoti.