Hoti: Parulla ‘të merremi me Serbinë e jo me njëri-tjetrin’, parullë e PAN-it që të mbulojë dështimet
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avduallah Hoti ka thënë se partia e tyre mbështetë dialogun me Serbinë duke marrë për bazë Kushtetutën.
Por, që nuk do të pranojnë formatin e ekipit të dialogut që dëmton demokracinë dhe kushtetutshmërisë në Kosovë, transmeton Indeksonline.
Sipas tij, uniteti që po pretendohet të arrihet me logjikën “të merremi me Serbinë, jo me njëri tjetrin” është parullë e koalicionit PAN që ka për qëllim të amortizojë veprimtarinë opozitare dhe të mbulojë dështimet.
Postimi pa ndërhyrje i Hotit në facebook:
Në javët e fundit, thirrjen pë unitet në dialogun me Serbinë, koalicioni PAN-PSD e ka kthyer në akuzë djallëzore kundër opozitës. Kjo qasje nuk është e sinqertë dhe as e dobishme për shtetin e Kosovës, përkundrazi.
Të mos i ngatërrojmë gjërat. Ne, si gjithmonë, e përkrahim dialogun me Serbinë gjithnjë duke marrë për bazë Kushtetutën. Por, ne nuk do të pranojmë që formati i ekipit të dialogut ta dëmtojë thelbin e demokracisë dhe kushtetushmërisë në Kosovë. Kosova duhet të ketë qeveri që flet në emër të shumicës së qytetarëve në adresimin e të gjitha çështjeve.
Uniteti i cili po pretendohet të arrihet me logjikën “të merremi me Serbinë, jo me njëri tjetrin” është parullë e koalicionit PAN që ka qëllim ta amortizojë veprimtarinë opozitare dhe mbulojë dështimet e veta.
Sa herë që ne bëjmë punën tonë opozitare në mbikëqyrje të qeverisë dhe evidentim të dëmeve që po i bëhen shtetit nga kjo qeveri jo legjitime, koalicioni PAN e përdor dialogun me Serbinë për ta zhvendosur vëmendjen nga dështimet e tyre dhe për ta eklipsuar mungesën e efikasitetit qeveritar./Indeksonline/