75 Mall Live Search
11:51 / E Premte, 03 Qershor 2022 / k.v

Hoti përgëzon Osmanin për takimin me Blinken: Kosova po i neglizhon marrëveshjet me ShBA-të

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka përgëzuar ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, për takimin që ka zhvilluar ai me Sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Hoti vlerësoi takimin, teksa tha se Maqedonia e Veriut po e diskuton partneritetin strategjik me ShBA-në, ndërsa kritikoi Qeverinë e Kosovës për, siç e quajti ai, neglizhimin e Marrëveshjes së Washingtonit të 4 shtatorit 2020, që për Hotin është e natyrës së partneritetit strategjik mes Kosovës e ShBA-së.

Ish-kryeministri i vendit, i cili e nënshkroi Marrëveshjen e Washingtonit, shtroi disa pyetje për qeverinë e tanishme që po udhëhiqet nga kryeministri Kurti ku mes tjerash kërkoi përgjigje se pse u shty për më shumë se një vit marrëveshja me MCC-në për energji.

“Pyetjet themelore janë:

  1. Pse po neglizhohet kjo marrëveshje?
  2. Pse po neglizhohet studimi i fizibilitetit për të lidhur Prishtinën me hekurudhë në Portin e Adriatikut?
  3. Pse po neglizhohet mundësia për qasje në financim për ndërmarrje të vogla dhe të mesme në tregjet financiare amerikane?
  4. Pse po neglizhohet mundësia për projekte bilaterale?
  5. Pse po neglizhohet zbatimi i Marrëveshjes Kosovë-SHBA për Insentiva në Investime, e nënshkruar më 31 dhjetor 2020 nga Qeveria Hoti?
  6. Pse u shty për më shumë se një vit marrëveshja me MCC për energji, ku përfshihej rrjeti i gazit dhe bateritë për ruajtje të energjisë, e në fund prapë u pajtuan për bateritë?”, shkroi Hoti, transmeton Klankosova.tv.

Ai bëri të ditur se në ditët në vijim do t’i publikoj të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që sipas Hotit, po neglizhohen.