Hoti pret në një takim përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka pritur sot përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, me të cilët ka biseduar për kushtet dhe sfidat që ata përballen, veçanërisht pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Kryeministri Hoti, me këtë rast i ka siguruar pensionistët se Qeveria do t’u qëndrojë afër dhe do të angazhohet për përmirësimin e kushteve të tyre.
“Qeveria është e përkushtuar dhe do t’ju qëndrojë afër të gjithë qytetarëve, si edhe po i trajton me seriozitet sfidat e tyre, përfshirë këtu edhe pensionistët, të cilët kanë dhënë kontribut të madh për zhvillimin e shoqërisë”, theksoi kryeministri Hoti.
Ndërsa, përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve falënderuan kryeministrin Hoti për pritjen, si edhe e vlerësuan angazhimin e tij për trajtim të kërkesave të tyre.