Hoti priti në takimin lamtumirës ambasadorin e Hungarisë, László Márkusz
Kryeministri Avdullah Hoti, ka pritur sot në takimin lamtumirës ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Márkusz.
Kryeministri Hoti e falënderoi ambasadorin Márkusz për punën e tij të përkushtuar në Kosovë, si dhe për përkrahjen e përhershme që Hungaria i ka dhënë vendit tonë.
Gjatë këtij takimi, kryeministri Hoti e njoftoi ambasadorin e Hungarisë Márkusz për prioritet e Qeverisë së Kosovës dhe për hapat që po ndërmerren për menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.
Po ashtu, Kryeministri Hoti potencoi se Kosova dhe Hungaria i kanë të gjithë mundësitë që ta intensifikojnë bashkëpunimin midis dy vendeve, sidomos në sektorin ekonomik, në infrastrukturë, në arsim etj.
Duke i uruar ambasadorit László Márkusz suksese në detyrat e tij të ardhshme, kryeministri Hoti tha se institucionet dhe qytetarët e Kosovës, dhe ai personalisht, e vlerësojnë lart punën e ambasadorit Márkusz gjatë mandatit të tij në Kosovë.
Ndërsa, ambasadori Márkusz, pasi e falënderoi kryeministrin Hoti për këtë takim lamtumirës dhe për bashkëpunimin e mirë me Qeverinë e Kosovës, shprehu bindjen se marrëdhëniet Hungari – Kosovë, do të thellohen edhe më tej.
“Për Hungarinë, Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht e kulturalisht janë pjesë e Evropës, ndaj ne vlerësojmë se e ardhmja juaj e përbashkët është në Bashkimin Evropian”, tha ambasadori Márkusz.