Hoti reagon pas vendimit të Komerciales për tregun e lirë të energjisë: Jo vetëm që i vjen era, por kundërmon

Ish-kryeministri Avdullah Hoti është shprehur i habitur me, siç ka thënë ai, entuziazmin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) pas verdiktit të Gjykatës Komerciale që legjitimon tregun e lirë të energjisë elektrike.
Gjykata Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë, të martën vendosi në favor të ZRRE-së për hedhjen në treg të hapur të energjisë të një mijë e 300 bizneseve.
Hoti tha se entuziazmi i ZRRE-së për këtë vendim është i habitshëm.
“Çfarë entuziazmi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për t’i detyruar bizneset të blejnë energjinë në treg të hapur, ku çmimi është disa herë më i shtrenjtë se çmimi që paguajnë tani?!”, tha Hoti të mërkurën në një shkrim në Facebook.
Deputeti i LDK-së tha se kësaj situate, jo vetëm që po i vjen era, “por kundërmon”.
“Çfarë apatie e Qeverisë për këtë situatë të krijuar?! Kësaj situate, jo vetëm që i vjen era, por kundërmon”, tha Hoti.