11:16 / E Premte, 04 Dhjetor 2020 / OSH

Hoti takon gastronomët, tregon ndihmat që do i marrin pas votimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka takuar sot përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve. Kryeministri u ka bërë me dije gastronomëve ndihmat për bizneset pas votimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

“Sot takova përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve dhe të Rrjetit të Shitësve me Pakicë, të cilët i sigurova për përkushtimin e Qeverisë në vazhdimin e mbështetjes dhe thellimin e bashkëpunimit përballë situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe të bizneseve.
Po ashtu, i njoftova se paketa e re mbështetëse do të jetë në vlerë prej 200-220 milionë eurosh, për tremujorin e parë të vitit 2021, ku midis tjerash përfshihet edhe zbritja e TVSH-së nga 18% në 8 % për këtë vit, masa këto të parapara me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike”, shkruan Hoti në njoftim./Indeksonline/