Hoti: Taksa, strehë e plaçkitjes së madhe
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se në 11 vjet shtet, Kosova asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të keqe si në çështjet e brendshme ashtu në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku po vihet në pikëpyetje partneriteti me ShBA-në.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një konferencë për media, tha pozita e keqe karshi ShBA-së, ka ndikuar që për herë të parë kryeministrit të vendit i mohohet e drejta të udhëtojë në ShBA.
Sipas Hotit, dialogu është në rrugë pa krye, pasi sipas tij është themeluar një ekip dialogues jokushtetues, e i cili ka kthyer Kosovën para pavarësisë.
Shefi i deputetëve të LDK-së kritika ka adresuar edhe për presidentin e vendit për moscertifikimin e anëtarëve të KQZ-së.
“Presidenti nuk është duke e kryer rolin e tij kushtetues dhe po lë në pasoja gjithë asamblistët dhe deputet, duke mos certifikuar anëtarët e KQZ”, tha ai.
Duke folur për taksën Hoti tha se është bërë strehë e plaçkitjes së madhe po bën Qeveria duke ndarë mjete financiare.
Pikërisht për këtë ai njoftoi se kanë thirrur dy seanca të jashtëzakonshme.
“Ne vlerësojmë se Kosova duhet të lirohet nga ky lidership aktual dhe zgjedhjet e reja janë zgjidhje”, shtoi Hoti.
Shefi i grupit të deputetëve të LDK-së, përsëriti se korrigjim të kufijve nuk do të ketë dhe Presidenti duhet të largohet nga kjo ide.