13:42 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / OSH

Hoti thotë se respekton cilindo vendim të Gjykatës Kushtetueses

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se së shpejti do të organizohet një tryezë me të gjitha partitë politike për të parë nëse ka vullnet që të gjendet zgjidhja për postin e presidentit.

“Duhet të ndjekim vetëm një zgjidhje kushtetuese. Shpejt do të organizohet tryeza e partive politike për të parë disponimin e partive politike nëse ka disponim që të diskutohet për të gjetur një zgjidhje për presidentin e vendit”, tha Hoti para mediave.

Derisa Ramush Haradinaj, ka shpallur kandidaturën për president dhe PDK-ja insiston që ky post t’i takojë asaj, shefi i Qeverisë ka thënë se të gjitha do të diskutohen në këtë tryezë.

“Secila prej partive duket ka qëndrime të caktuara. Nuk jemi ulur në tryezë të partive politike parlamentare për të parë nëse ka vullnet që të zgjedhet një president, dhe nëse ka vullnet cilat janë propozimet e partive. E dimë propozimin e AAK-së, tashti po duket edhe të PDK-së. Besoj që ditëve të ardhshme organizohet kjo tryezë dhe të shohim se si mund të shkojmë përpara”, shton ai.

Në ndërkohë, ai ka deklaruar se do të respektohet cilido qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me votën e deputetit Etem Arifi dhe procesin e votimit të qeverisë në krye të së cilës është.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ju e dini qëndrimin tonë që e kemi pasur standard që e kemi pasur. Çfarëdo vendimi që del nga ajo gjykatë do ta pranojmë dhe do të sillemi në përputhje me atë vendim”, tha Hoti.