Hoti vazhdon të komunikojë rregullisht me ambasadorin Grenell

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas vënies së gurthemelit për ndërtimin e një shkollë fillore të mesme të ulët “Tre Dëshmorët”, nw nga Rahovec ka folur edhe pwr raportin e Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian
Kryeministri Hoti raportin e konsideron të ndërtuar mbi teori konspirative dhe pa asnjë të vërtetë brenda tij. Sipas Hotit, ky studim nuk paraqet opinionin e Parlamentit Evropian, por të autorëve. Me ambasadorin Grenell thotë se ka kontakt të rregullt.
“Raport i ndërtuar plotësisht në teori konspirative pa asnjë të vërtetë dhe unë shpresoj dhe jam i bindur se jemi duke komunikuar tani me zyrtarët e BE-së, të Parlamentit Evropian lidhur me këtë raport. Ky raport nuk është opinionin e Parlamentit Evropian por i autorëve dhe duket qartë se në bazë të analizave që i janë bërë raportit dhe të dhënat që janë përdorur në konkludimet e këtij raporti janë të paqëndrueshme të pavërteta dhe konspirative”, tha ai.
I pyetur për raportet e tij me të ngarkuarin e ish presidentit të SHBA-së, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kreu i ekzekutivit tha se komunikimin e kanë të rregullt me të dhe se marrëveshja për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator do të vazhdojë të zbatohet.
“Komunikimin e kemi të rregullt dhe kemi pasur edhe në të kaluarën me të dy kampet politike të SHBA-së me republikanët dhe demokratët, mirë që është konfirmuar që pavarësisht ndërrimit të administratës atje marrëveshja e nënshkruar në Uashiongton më 4 shtator do vazhdojë të zbatohet dhe jemi duke punuar çdo ditë. Javën që shkoi kemi pasur një takim me DFC-në për të identifikuar çështjet që duhet t’i çojmë përpara si dy qeveri, zotimet që kemi marrë për realizimin e këtyre”, theksoi Hoti.