75 Mall Live Search
08:19 / E Enjte, 17 Shtator 2020 / indeksADMonline

Hoti, Veliu e Likaj raportojnë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të vazhduar seancën plenare me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, si dhe për të zhvilluar një seancë të re në të cilën si pikë e rendit të ditës do të jetë raportimi i kryeministrit, Avdullah Hoti për dialogun Kosovë-Serbi.

Gjatë kësaj seance në interpelancë pritet të jenë edhe ministri i Arsimit, Ramë Likaj lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në situatën pandemike, transmeton Indeksonline.

Në interpelancë në seancën e sotme do të jetë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, saktësisht në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës.

Kjo seancë pritet të fillojë në ora 11:00.

Rendi i ditës

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,

Interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, Arberije Nagavci, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës,

Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007,

Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe sporteve për vitin 2019,

Zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,

Zgjedhja e gjashtë (6) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,

Propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar  në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.