Hotit s’i lëvizin numrat për mocion, Kadaj e quan shterpë iniciativën e opozitës
Muajin e kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar një mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë në krye me Ramush Haradinajt.
Në shenjë pakënaqësie me qeverisjen aktuale, këtij mocioni i janë bashkuar edhe partitë tjera opozitare të Kuvendit të Kosovës, shkruan Indeksonline.
Tani që janë bërë pothuajse një muaj nga inicimi i mocionit, në opozitë thonë se nuk i kanë ende numrat për ta dërguar për votim në Kuvend.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka treguar për Indeksonline se sa është numri i nënshkrimeve që kanë arritur të mbledhin.
Sipas të dhënave, ky numër nuk ka ndryshuar prej fundit të majit, kur LDK përmes një konference tregoi sa deputetë janë pajtuar me mocion.
“Janë 58 nënshkrime gjithsej. Janë nënshkrimet e LDK-së, VV-së, PSD-së dhe Alternativës”, ka thënë Hoti, duke lënë të nënkuptohet se asnjë deputet i pozitës deri më tani nuk ka hedhur nënshkrimin në mocion.
E për këtë iniciativë të opozitës, ka disa fjalë deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.
Ajo ka thënë për Indeksonline se që nga dita e parë e krijimit të Qeverisë Haradinaj, opozita ka luajtur rolin e saj kundërshtues, që në fakt është e shëndetshme për demokracinë.
Sipas saj, hera-herës, përfaqësues opozitar e kanë zënë në gojë edhe mocionin e mosbesimit por që ka rezultuar si shterpë.
“Siç duket, jo të gjithë opozitarët ndajnë të njëjtin qëndrim në raport me rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, sepse e kanë kuptuar se ai ka rezultuar si mjaft i efektshëm në qeverisje, që më krijimin e ushtrisë, rritjen e pagës minimale e me taksën prej 100% për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, ka theksuar Kadaj-Bujupi.
Ajo ka vlerësuar se me Qeverinë Haradinaj është rritur edhe buxheti për institucionet e drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë.
“Pagat e sektorit publik në anën tjetër janë rritur dukshëm, sidomos të mjekëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu shkon deri në 2 mijë euro. Nëse formacioni aktual qeveritar është frytdhënës, atëherë nuk ka kuptim që të ndryshohet formacioni. Kryeministri Haradinaj me misionin dhe vizionin e tij ka treguar që është soji i udhëheqësit transformues, dhe ky model që është i pari i tillë duhet patjetër të ndiqet edhe në të ardhmen”, ka përfunduar Kadaj-Bujupi. /Indeksonline/