23:25 / E Diele, 28 Maj 2023 / AR

Hovenier i fton kryetarët e rinj të veriut nesër në takim: Kur të vini këtu do të bisedojmë

Kryetarët e sapozgjedhur në komunat veriore të Kosovës pritet të mbajnë takim nesër me ambasadorin e Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Zveçanit për Gazetën Nacionale, Ilir Peci, ku ka treguar se takimi do të mbahet në Prishtinë duke filluar nga ora 09:00.

Ai tutje ka thënë se ka kërkuar agjendën e takimit dhe arsyeje se pse janë thirrur, mirëpo përgjigja e vetme që ka marrë ka qenë “kur të vini këtu do të bisedojmë”.

“Po na kanë ftuar në takim, ne do të marrim pjesë në takim nesër nga ora 09:00. Nuk na kanë dhënë detaje pse na kanë thirr, megjithatë kërkova pikat e rendit të takimit, por than që kur të vini këtu do të bisedojmë, kaq. Informacion është se kemi takimi, ndërsa për çka nuk e dimë.” – ka thënë Peci.

I pyetur se a do të jap dorëheqje nëse Hovenier ia kërkon, Peci nuk ka dhënë përgjigje.

“Për besë nuk mundëm me të thanë diçka të tillë. Nuk edi të shohim, krejt varet nga takimi.” – ka përfunduar ai.