11:32 / E Premte, 08 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Hoxha: Aplikimi i Kosovës në WBIF kap shumën dhjetëra milionë euro

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Investimeve, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ceku mundësinë e aplikimit në sektorët shtesë të miratuar nga WBIF, si: infrastruktura digjitale, Termokosi, ujëmbledhësi i Skënderajt, Studimi i fizibilitetit dhe vlerësimi i ndikimit social dhe në mjedis për ngrohje në rajonet e Ferizajt, Gjilanit, Pejës, Prizrenit, Mitrovicës, Drenasit dhe Obiliqit. Studimi i fizibilitetit për avancimin e infrastrukturës në shëndetësinë sekondare dhe terciare, Master plani për mbeturinat e ndërtimit dhe rrënimit për komuna, për ndërtimin e sistemit hidro-teknik Desivojcë – Kremenatë – Gjyrishevc, për ALKOGAP – tubacioni i gazit nga Shqipëria në Kosovë si dhe Master planin e gazit për Kosovën.

 Ministrja Hoxha theksoi rëndësinë e projekteve të reja që duhet të shtohen në kuadër të listës prioritare të Projekteve infrastrukturore, si dhe të bëhet rishikimi i listës në tërësi për asistencën teknike të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

 Në fund, u miratua kjo listë e projekteve, të propozuara nga Ministrja Hoxha dhe ministritë përkatëse që do t’i mundësojnë Kosovës të aplikojë në raundin e 9-të të thirrjes për aplikim me projekte konkrete në fondet e WBIF, projekte këto që kapin shumën e dhjetëra milionë euro, dhe që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.