75 Mall Live Search
12:47 / E Martë, 12 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Hoxha: Bujqësia dhe zhvillimi rural të jetë prioritet i Qeverisë së ardhshme

Derisa sot Kosova ka marrë statusin si kryesuese e Grupit drejtues të punës për zhvillim rural rajonal të vendeve të Evropës Juglindore, kryesuesi nga Kosova i kësaj asambleje, Bekim Hoxha, thotë se Kosova në këtë organizatë për një vit me radhë do ketë rol drejtues të të gjitha projekteve që implementohen nga grupi teknik për zhvillim rural.

Hoxha ka kërkuar nga Qeveria e ardhshme që ta ketë prioritet bujqësinë dhe zhvillimin rural në Kosovë, pasi që këtë sektori sipas tij e presin projekte të mëdha.

“Besoj që të gjitha qeveritë e kanë pasur prioritet,  por edhe Qeveria në ardhje shpresojmë që  bujqësia dhe zhvillimi rural do jetë njëri prej prioriteteve, sepse ne e dimë që Kosova karakterizohen si vend rural  po flas sipas  definicionit që është në kuadër të Komisionit Evropian  dhe shpresoj që me të vërtetë do jetë prioritet bujqësia në Kosovë për arritjet e shumta që na presin”,  tha Hoxha.

Sipas kryesuesit të Grupit drejtues të punës për zhvillim rural rajonal, Kosova gjatë kësaj periudhe njëvjeçare sa është në krye të grupit do të ketë mundësi të mira për bashkëpunim rjonal dhe projekte të shumta në të mirë të sektorit të bujqësisë.

“Roli i Kosovës  do jetë kryesues i asamblesë ku të gjitha projektet  që do të implementohen në kuadër të këtij grupi teknik për zhvillim rural Kosova do i drejtojë dhe po ashtu do jetë pjesëmarrëse në implementimin e tyre…. Po shpresoj se në këtë grup do kemi të mirat të shumta në aspektin e bashkëpunimit regjional po ashtu edhe pjesëmarrjes në implementimin e projekteve që janë duke u implementuar vite me radhë në këtë organizatë pasi që Kosova që nga viti 2006 është anëtare e rregullt përmes dy delegatëve”, tha Hoxha.

Hoxha i cili është edhe drejtori i Departamentit të Vreshtarisë dhe Verërave  në  Ministrinë e Bujqësisë tregoi edhe disa nga përfitimet e Kosovës si pjesëmarrëse në GDP të vendeve të Evropës Juglindore.

“Kosova ka marrë pjesë në shumicën e projekteve të bashkëpunimit regjional shembull projekti në fjalë ka qenë Malet e Sharrit,ku kanë qenë të përfshira Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, po ashtu kemi edhe projektin për Bjeshkët e Nemuna i cili është në implementim e sipër si dhe shumë studime dhe analiza të cilat janë bërë në raport me statistikat në raport me të gjitha zhvillet e fizibilitetit në çështjet e zhvillimit rural dhe bujqësisë“, deklaroi ai.

Grupi drejtues i punës për zhvillim rural rajonal (GDP) është një organizatë ndërqeveritare dhe ndërkombëtare, e cila është e lidhur me institucionet qeveritare për zhvillimin rural në shumë vende të Evropës Juglindore. Synimi i saj është që të ofrojë bashkëpunim konstruktiv dhe të vazhdueshëm ndërmjet Ministrive për Bujqësi, në kuadër të përgjegjësive të tyre drejt procesit integrues në Bashkimin Evropian. Deri tani kjo organizatë e njohur ndryshme si SWG është udhëhequr nga Maqedonia e Veriut.