Hoxha informon përfaqësuesit e Ambasadës amerikane për situatën e sigurisë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga stafi i tij, priti sot në një takim zyrtar përfaqësues nga Ambasada e SHBA-së, atasheun e mbrojtjes kolonel AJ Berg, nënkolonel Jonathan Shaw dhe atasheun e ICITAP-it nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Kimberly Riffe.
Sipas njoftimit nga policia, Hoxha i informoi të pranishmit përi situatën e sigurisë në Kosovë, për punën, angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si edhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Të pranishmit u informuan gjithashtu për arritjet e Policisë së Kosovës në fusha të ndryshme, duke përfshirë menaxhimin e sfidave të ndryshme që kanë përballuar gjatë viteve, të cilat janë menaxhuar dhe tejkaluar me sukses, falë profesionalizmit dhe bashkëpunimit me institucionet lokale dhe ndërkombëtare, si dhe partnerët nga SHBA”-ja, njofton Policia e Kosovës.
Bëhet e ditur se në këtë takim, ndër të tjera, Policia e Kosovës theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me përfaqësuesit e SHBA-së dhe se ky partneritet në bashkëpunim dhe mbështetje do të avancojë më tej në fusha të ndryshme policore.