11:31 / E Premte, 06 Tetor 2017 / indeksADMonline

Hoxha në Bruksel, takon anëtarët e Grupit Punues për Regjionin e Ballkanit

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar anëtarët e Grupit Punues për Regjionin e Ballkanit Perëndimor, brenda Komitetit të Stabilizim-Asociimit, në Bruksel.

Temë e takimit ishte shkëmbimi i qëndrimeve me përfaqësuesit e shteteve anëtare të COWEB, me ç’rast, ministrja Hoxha, ka theksuar se procesi i integrimit evropian është prioritet i institucioneve të Republikës së Kosovës, duke cekur sfidat e këtij procesi.

“Ne kemi nevojë për përkrahjen tuaj, për realizimin e konsensusit tonë nacional, realizimin sa më të shpejt të procesit euro-integrues dhe liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministrja u ndal në çështjet e zhvillimit ekonomik brenda prioriteteve të definuara në procesin euro-integrues si dhe instrumentin financiar të saj, miratimin e Projektit IPA 2016, që dje mori 98 vota në Kuvendin e Kosovës, duke e quajtur të arritur të re në këtë proces.