75 Mall Live Search
11:02 / E Premte, 11 Korrik 2025 / S Z

Hoxha për rastin në Lipjan: Hetimet do të zbardhin gjithçka, s’do të lejojmë abuzime

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në ceremoninë e diplomomit të të gjeneratës së 62-të, të Policisë së Republikës së Kosovës, ka folur dhe për rastin në Lipjan ku ditë më parë ka humbur jetën 27-vjeçari Agon Zejnullahu. Hoxha ka thënë se do të veprojnë  brenda kufijve të autorizimeve ligjore, për të përfunduar të gjitha hetimet e nevojshme për të zbardhur rastin.

Policia  e Kosovës sipas tij ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një nga institucionet më kredibile në vend dhe se nuk do të lejojnë kurrë abuzime.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjarët e të riut që humbi jetën ditë më parë. Ju garantojme ne si polici se do të veprojmë brenda kufijve të autorizimeve ligjore dhe do të përfundojmë të gjitha hetimet e nevojshme për të zbardhur këtë rast. Nga ana e srejtorit do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Policia mban uniformën me krenari dhe nuk do të lejojë kurrë abuzime. Policia ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një nga institucionet më kredibile në vend”, tha Hoxha.

Hoxha u tha policëve të rinj se uniforma të cilët do ta mbajnë nga sot, nuk është vetëm privilegj, por një përgjegjësi e madhe dhe se çdo veprim i tyre duhet të jetë në harmoni me ligjin.

“Sot po hapni një kapitull të ri në jetën tuaj profesionale. Dua të ndaj një mesazh me ju uniforma policore nuk është vetëm privilegj, por një përgjegjësi e madhe, është mision dhe krenari. Çdo veprim që do të ndërmerrni duhet të jetë në harmoni me ligjin. Qytetarët, në uniformën tuaj, shohin shpresën dhe sigurinë. Jemi këtu për të mbrojtur viktimën dhe për t’u përballur me dhunuesit. Në rrugën që keni zgjedhur, do të përballeni me sfida dhe gjuhë të mprehta, por do të gjeni edhe përkrahjen e kolegëve tuaj, me të cilët do të ndani çdo gëzim e çdo sfidë”, ka thënë ai..

/Indeksonline/