Hoxhaj i reagon Kurtit: Ikje skandaloze nga përgjegjësia politike për Listën Serbe
Ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti pas deklaratave të tij për Listën Serbe.
Albin Kurti është pyetur dje pse nuk e ka shpallë qeveria e tij Listën Serbe organizatë terroriste, ai ka thënë se “Kosova nuk është shtet policor, ku qeveria e shpall një parti politike terroriste. Unë besoj se nuk është e drejt. Unë besoj se na duhen vendime gjyqësore lidhur me një parti politike.”
Sipas Enver Hoxhajt, qëndrimi i Kurtit është shembull i kontradiktës politike dhe i ikjes nga përgjegjësia shtetërore.
“Kur Vetëvendosje flet ndaj partive shqiptare, shpalljet janë të thjeshta dhe absolute. Sot, kur Lista Serbe bëhet funksionale për Kurtin, përgjegjësia relativizohet dhe vendimmarrja delegohet”, shkruan Hoxhaj në Facebook.
Ai thekson se Lista Serbe ka qenë dhe mbetet instrument politik i strukturave kriminale dhe të sigurisë së Serbisë, një realitet që edhe vetë Kurti e ka pranuar në të kaluarën.
Hoxhaj shton se përpjekja për ta paraqitur situatën si pengesë ndërkombëtare ose si çështje ekskluzive e drejtësisë është një justifikim për mungesën e vullnetit politik.
“Ky diskurs i dyfishtë, radikal dje dhe minimalist sot, pas aktakuzës për rastin Iber-Lepenc, dëmton seriozisht besueshmërinë politike dhe zbraz pretendimin për qeverisje të guximshme dhe sovrane”, përfundon Hoxhaj.
“Deklarata e kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti për Listën Serbe përbën një shembull të qartë të kontradiktës politike dhe ikjes nga përgjegjësia shtetërore. Sot, i njëjti aktor politik që për vite me radhë ka ndërtuar kapital politik mbi akuza të rënda, fshihet pas formulimeve procedurale dhe e zhvendos përgjegjësinë te gjykatat, prokuroria dhe faktorët ndërkombëtarë”, ka shkruar Hoxhaj.
“Ky nuk është qëndrim parimor, por revizionizëm politik oportunist. Kur Vetëvendosje flet ndaj partive shqiptare, shpalljet janë të thjeshta, kategorike dhe absolute. Sot, kur realiteti politik e bën Listën Serbe funksionale për Kurtin, përgjegjësia relativizohet dhe vendimmarrja delegohet”, ka shkruar Enver Hoxhaj.
“Lista Serbe ka qenë dhe vazhdon të jetë instrument politik i strukturave kriminale dhe të sigurisë së Serbisë, një vlerësim me të cilin edhe vetë kryetari i Vetëvendosjes është pajtuar publikisht në të kaluarën. Pikërisht për këtë arsye, është e papranueshme që sot ai, si kryeministër i etur për vota në Kuvend, të sillet sikur bëhet fjalë për një çështje neutrale juridike, pa përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe shtetërore. Edhe më problematike është përpjekja për ta paraqitur këtë situatë si pengesë ndërkombëtare apo si çështje ekskluzive e sistemit të drejtësisë, kur në thelb bëhet fjalë për mungesë vullneti politik për të vepruar nga vetë kryeministri. Shteti nuk ndërtohet duke ia kaluar vendimet e vështira institucioneve të tjera apo partnerëve ndërkombëtarë, por duke marrë përgjegjësi politike dhe duke krijuar kushtet që drejtësia të veprojë në mënyrë efektive. Ky diskurs i dyfishtë, radikal dje, minimalist sot, vetëm pak ditë pas aktakuzës për rastin Iber-Lepenc, e dëmton seriozisht besueshmërinë politike dhe e zbraz nga përmbajtja pretendimin për qeverisje të guximshme dhe sovrane. Në fund, kjo nuk është as çështje e ndërkombëtarëve dhe as e gjykatave: është problemi i një lidershipi që sot po tërhiqet nga ato që dje i shpallte me zë të lartë”, ka shkruar Hoxhaj.

