Hoxhaj kujton dy vjetorin e ushtrisë dhe betejën e Mujë Krasniqit bashkë me 41 ushtarë në Pashtrik

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kujtuar përmes një statusi dy vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, datë kjo që lidhet ngjarjet që ndodhën saktësisht 22 vite më parë, në Pashtrik.
Hoxhaj ka thënë se me 14 dhjetor 1998, komandant Mujë Krasniqi me 41 ushtarë, zhvilluan një prej betejave që shënon historinë e lavdishme të Kosovës.
“Ashtu siç luftuan atë ditë, një për të gjithë dhe të gjithë për një, ashtu edhe ranë, heroikisht, sepse, Muja dhe shokët e tij nuk donin tjetër përfundim. Flijimi për Atdhe për ta ishte bekim dhe përmbushje e idealit për të cilin kishin jetuar. “, ka shkruar Hoxhaj.
Ai gjithashtu tha se ushtarët e dinin se shpirti i tyre do të shndërrohej në shkëndijë, që do të ndriçonte më pas rrugën drejt çlirimit, shtetformimit dhe krijimit të një ushtrie të cilën e gëzojmë sot.