75 Mall Live Search
11:36 / E Martë, 23 Dhjetor 2025 / b l

Hoxhaj: Kurti e ka shkelur sovranitetin e Kosovës me energjinë e blerë nga Serbia

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe kandidat për deputet nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, kritikoi ashpër menaxhimin e sektorit energjetik nga qeveria “Kurti”, duke e quajtur “mafia energjetike” dhe theksoi se kjo është bërë pjesë e ekonomisë së Vetëvendosjes.

“Kurti ka blerë 811 milionë euro para të Kosovës për energji elektrike nga Serbia. Vetëm në vitin e fundit janë blerë 247 milionë euro”, tha Hoxhaj, duke shtuar se kjo situatë ka dobësuar sovranitetin e jashtëm të Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës në fakt janë dy herë duke e paguar rrymën, duke fjetur mbi thëngjill. Nuk mund të pretendojmë që dikush mund ta luftojë Serbinë nëse e financon luftën e Serbisë kundër Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ai gjithashtu kritikoi mungesën e planifikimit dhe prodhimit të energjisë brenda vendit.

“Pse nuk ka pas prodhim të rrymës, pse nuk ka pas planifikim të prodhimit të rrymës. Ne duhet, mbi të gjitha, në vitin 2026 ta kemi temë kryesore pavarësinë energjetike”, tha Hoxhaj.

“Mafia energjetike është në fakt ekonomia e Vetëvendosjes. Kurti në fakt e ka dorëzuar sovranitetin e jashtëm të Kosovës në rajon më shumë në përputhje me atë se si i ka pasur pritjet Serbia sesa i ka pasur pritjet Kosova”, ka thënë tutje Hoxhaj në Rubikon.