11:24 / E Martë, 02 Mars 2021 / A. M.

Hoxhaj, Lajçakut: Kërko falje lidhur me çështjen e hartës së Kosovës

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Uran Ismaili, nënkryetari Memli Krasniqi dhe anëtarja e kryesisë, Blerta Deliu ka pritur në një takim përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim, Hoxhaj e ka njoftuar për qëndrimin e PDK-së që çfarëdo marrëveshje e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit, të mos e cenojë tërësinë territoriale, intergritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Sipas Hoxhajt, rajoni mund ta tejkalojë këtë sfidë historike vetëm kur të dyja vendet e njohin njëra-tjetrën dhe Kosova siguron vendin në OKB.

Po ashtu, në takim, Hoxhaj ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me hartën e prezantuar nga Lajçaku në njërën prej intervistave të tij ku nuk figuronte kufiri i Kosovës si vijë ndarëse me Serbinë.

Hoxhaj ka kërkuar nga Lajçaku një kërkimfalje për këtë çështje meqë ndërmjetësi i dialogut nuk duhet të ketë qëndrim të njëanshëm në këtë proces dhe ai duhet ta njohë realitetin e Kosovës së pavarur.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ka njoftuar krerët e PDK-së me planin e tij për rifillimin e shpejtë të dialogut pas konstitutimit të institucioenve të reja në Kosovë.