75 Mall Live Search
12:01 / E Diele, 12 Maj 2019 / indeksADMonline

Hoxhaj në Kuvendin Zgjedhor: PDK, Veseli e Ismaili do kthejnë besimin në shtet

Zëvendëskryeministri i Kosovës njëherësh edhe kryetari i komisionit zgjedhor lokal, Enver Hoxhaj, në hapjen e Kuvendit zgjedhor të PDK-së në Prishtinë ka thënë se Kosovës do i kthehet shpresa kur në krye të Qeverisë të jetë Kadri Veseli e udhëheqjen e Prishtinës ta merr kandidati për kryetar të PDK në kryeqytet, Uran Ismaili.

“Vetëm PDK mund të rikthejë besimin në shtet dhe këtë e rikthejmë kur të bëjmë Kadri Veselin kryeministër dhe këtë e rikthejmë kur me sa po shoh sot URAN Ismailin e bëjmë kryetar të Prishtinës”.

Hoxhaj tha se deri më tani politikanët dhe partitë që kanë udhëhequr me Prishtinës nuk i kanë dhënë asgjë kryeqytetit.

Ai tha se ndryshimi i partisë nuk duhet të jetë vetë qëllim por ndryshimi i PDK-së duhet t’i shërbejë Kosovës.

“Prishtina i ka dhënë shumë Kosovës. Shumë zhvillime kanë filluar në Prishtinë dhe nga një kryeqytet i një etniteti jugosllav jemi bërë shteti më i ri në hartën e botës. Politikanët dhe partitë asgjë nuk i kanë dhënë Prishtinës deri më tani. Kaosi, pasiguria, ajri i ndotur, urbanizimi i egër janë disa nocione që e karakterizojnë Prishtinën”, deklaroi ai.

“Jemi këtu që të përcaktojmë qëllimet  e reja, jemi këtu që të përmbushim pritjet e reja dhe jemi këtu të krijojmë një sienergji mes vizionit dhe programit tonë. Duam që të kemi sjellje kolegjiale në udhëheqjen e strukturave të partisë, duam që ndryshimi i partisë të mos jetë vet qëllim por ndryshimi i partisë t’i shërbej Kosovës”, tha Hoxhaj.

Shefi i grupit parlamentar, Memli Krasniqi, ftoi delegatët e Kuvendit që të votojnë Ismailin për kryetar të degës në Prishtinë.

Në anën tjetër, kryetari i deritashëm i PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, në Kuvendin Zgjedhor ka kërkuar nga personat që do të zgjidhen në krye të kësaj partie që të vendosin qytetarët e kryeqytetit para vetes.

Ai ka thënë se ky kuvend është në kohën e duhur për PDK-në pasi aktualisht Prishtina nuk ka kryetar.

“Momentumi kur sot po mbahen zgjedhjet në PDK është i rëndësishëm si për vet degën e PDK po ashtu edhe për qytetarët në qytetin e Prishtinës. Ne po e  përjetojmë një qytet pa qeverisje, po e shohim çfarë do të thotë të kesh një qytet pa kryetar. Ne sot kemi në krye të qytetit një njëri që publikisht pranon se ka frikë të merret me problemet. Prandaj mendoj që është një momentum shumë i mirë për PDK dhe besoj që qytetarë e Prishtinë janë të vetëdijshëm që alternativa e vetme është Partia Demokratike”

Çelaj shpreson se me këtë kuvend edhe vet PDK do të ndryshojë qasjen që e ka pasur deri më tani ndaj kësaj dege.

”Uroj që strukturat të jenë unik të jenë të përkushtuar të jenë njerëz që para interesit personal do të venë interesin e qytetit. Uroj që ky kuvend të nxjerrë njerëzit më të mirë. Po ashtu unë besoj që PDK do të ndërroj qasje që e ka pasur ndaj degës së Prishtinës dhe mendoj që me këtë ndërrim të qasjes edhe dega e PDK-së në Prishtinë do të jetë më mirë”, shtoi ai. /Indeksonline/