Hoxhaj në Uashington: Demarkacioni ratifikohet në janar
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një konferencë në Uashington ka thënë se qeveria e Kosovës është duke punuar në atë drejtim që Demarkacioni të ratifikohet në Janar.
Në një konferencë të mbajtur në kuadër të përfaqësuesve të Ballkanit, të organizuar nga Këshilli i Atlantikut, Hoxhaj më tej ka thënë se kjo është një çështje e brendshme e Parlamentit dhe e Kosovës dhe jo cështje bilaterale me Malin e Zi, transmeton Indeksonline.
“Me Malin e Zi kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Çështja e Demarkacioni është një çështje e brendshme dhe jo çështje bilaterale me Malin e Zi. Ne po punojmë që në janar të kemi mundësinë ta përfundojmë Demarkacioni dhe ta ratifikojmë në parlament”, ka thënë Hoxhaj.
Më tej ai ka folur edhe për tema të tjera të rëndësishme.
Hoxhaj gjatë këtij takimi gjithashtu ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhin disa çështje dhe të lëvizin nga çështjet “Status Quo”, duke pasur një strategji të qartë.
“Qeveria e Kosovës është e gatshme për të hyrën në fazën e fundit të dialogut me Serbinë, e cila do të përfundojë me njohjen e ndërsjellët, dhe të bëhet anëtarësim i Kosovës në OKB”, ka shtuar më tej ai.
Pos kësaj, ai ka shtuar se nuk duhet të nënvlerësohet roli i Rusisë në Rajon. Ai ka përmendur se Rusia po e përdor Serbinë si një burim propagande për të destabilizuar rajonin./Indeksonline/