Hoxhaj: Një koalicion VV-AAK është i natyrshëm – koalicion i koktej molotovit

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nuk ka vija të kuqe kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe se janë të gatshëm të ulen për të biseduar nëse veç partia e Kurtit është e interesuar për bashkëpunim – jo vetëm për rrëzim të Qeverisë së Kurtit.
Për mocionin e nisur nga Vetëvendosje Hoxhaj përsëriti se nuk është serioz dhe se këtë po e bën për shkak se “ka frikë nga pushteti”.
“Arsyeja pse vendi nuk po shkon në zgjedhje s’ka të bëjë shumë me PDK-në, sepse s’po e mbajmë peng Kosovën, por kjo ka të bëjë me faktin që Vetëvendosje sikurse e kemi parë nuk dëshiron që ta ushtrojë këtë mocion. Ky mocion është më shumë bllof. VV-ja ka frikë prej qeverisjes dhe s’di të qeverisë, prandaj edhe flasin për mocion dhe s’ndërmarrin asnjë. Edhe LDK-ja po ashtu ka frikë nga rënia që po e përjetojnë nga mbështetja qytetare dhe të dyja këto parti e kanë shndërruar vendin në këtë situatë”.
“Nëse kërkojnë bashkëpunim me PDK-në duhet të ulemi dhe të bisedojmë dhe për atë se ku mund të bashkëpunojmë me Vetëvendosjen. Duhet t’i pyesim se a kanë kërkesa të tjera për PDK-në apo dëshirojnë edhe më tej ta satanizojnë, apo kemi mundësi të bashkëpunimit. Unë jam për bashkëpunim me Vetëvendosje”.
Hoxhaj e quajti të natyrshëm një koalicionin të mundshëm midis Vetëvendosjes dhe AAK-së, pas gatishmërisë së shprehur nga shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, mbrëmë në Rubikon.
“VV – AAK kanë pasur një koalicion të koktejeve të molotovit dhe këtë e kemi parë në Kuvend. Edhe sot e kësaj dite na kanë lënë pa viza dhuna në Kuvend, rrugë dhe sheshe të Prishtinës.
Politikat e jashtme përdoreshin për politika të brendshme. Një koalicion i tillë i ardhshëm do t’ishte një koalicion i koktejeve të molotovit. Kjo më shumë flet për mendësinë e këtyre dy partive.
Metodat janë reflektim i mendësisë dhe i asaj se si e shohim vetën dhe raportin tonë me realitetin politik që na rrethon.
Sa i përket përfshirjes në koalicionin qeverisës, Hoxhaj në Rubikon u zotua se mbesin pas qëndrimit që kanë marrë më 6 tetor të 2019-ës se janë parti opozitare.
“Qasja jonë është e prerë të mbesim në opozitë. S’kemi as vullnet, as interes, as pritje që të jemi pjesë e kësaj Qeverie dhe zgjedhjen e presidentit e ndajmë qartë dhe mirëfilltë prej raportit tonë me Qeverinë, e cila në pikëpamjen tonë ka qenë e dobët. Ky është qëndrimi që e kemi dhe do të jemi prapa edhe në të ardhmen”.