Hoxhaj: S’do të bëjmë kompromise të asnjë lloji kur ta kërkojmë votëbesimin e qytetarit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, dhe njëherësh nënkryetar i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë përmes një shkrimi se PDK-ja nuk bën kompromise sa i përket postit të kryeministrit me asnjë parti.
Madje, Hoxhaj ka thënë se tashmë është provuar se çfarë ndodh kur posti i kryeministrit u mbetet partnerëve të koalicionit, andaj një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe në këto zgjedhje.
“PDK-ja është forca që gëzon besimin më të madh tek qytetarët dhe këtë do ta dëshmojmë edhe në këto zgjedhje. Ne e kemi provuar tashmë çfarë ka ndodhur kur postin e Kryeministrit ua kemi lënë partnerëve të koalicionit. Prandaj nuk do të bëjmë kompromise të asnjë lloji kur kërkojmë votëbesimin e qytetarit”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ai ka thënë se në këto zgjedhje PDK-ja do të hyjë vetë dhe posti i kryeministrit është i panegociueshëm.
“Sa i përket koalicioneve paszgjedhore, ato parti që nuk do kenë kurajën që të bëhen pjesë e pikave tona programore, nuk do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme që ne do ta udhëheqim. Qytetari në zgjedhje tregon se kush ka vullnet dhe forcë t’ju prijë proceseve!”, ka përfunduar shkrimin Hoxhaj.