10:56 / E Premte, 15 Janar 2021 / OSH

Hoxhaj: Nuk e kemi menduar se do të vijmë në Reçak pa Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin

Kandidati për kryeminstër i PDK-së, Enver Hoxhaj, këtë të premte ka bërë homazhe në Reçak, në 22 vjetorin e masakrës.

Hoxhaj ka deklaruar se Reçaku ishte një ngjarje që e lëvizi ndërgjegjen e botës dhe si rezultat i kësaj ishte intervenimi i NATO-s, në Kosovë në vitin 1999.

“Asnjëherë nuk e kemi menduar se pas 21 vjetësh do të vijmë në Reçak për të nderuar të rënët pa Kadri Veselin, pa Hashim Thaçin, pa Jakup Krasniqin, pa Rexhep Selimin dhe pa komandantët e UÇK-së, të cilët në mënyrë të padrejtë janë duke u përballur me një gjykatë, prej së cilës besojmë se ata do të kthehen të lirë dhe fitimtarë”.

“Çdo shqiptar, çdo evropian duhet ta dijë se ata në Hagë, nuk janë emra dhe mbiemra të përveçëm, ata përfaqësojnë kauzën tonë për liri. Rruga jonë për liri ishte e vështirë, ekzistenca jonë si shtet erdhi nga qytetarë trima dhe punëtorë. Ne e kemi për detyrë ta vazhdojmë sakrificën dhe me vendosshmëri ta ndërtojmë më tej një Kosovë moderne”.

“Ata që janë në Hagë do ta mbrojnë edhe njëherë akuzën tonë për liri dhe do të kthehen fitimtarë”, ka thënë Hoxhaj.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Smajli, ka thënë se liria ka emër, ka Reçakun dhe luftën e UÇK-së.

“Ne masa të pandemisë jemi detyruar ta mbajmë këtë përvjetor të Reçakut kështu pa ndonjë organizim. Sot padrejtësisht po mbahen në Hagë luftëtarët tanë. Në mungesë të presidencës jemi detyruar ta mbanim këtë ngjarje kështu”.