75 Mall Live Search
18:14 / E Hënë, 28 Dhjetor 2020 / Blerim

Hoxhaj: PDK është shtëpi e madhe, i ka dyert e hapura për personalitete të ndryshme

U.D i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, përmes një postimi të bërë në FB, i ka uruar mirëardhje në partinë që udhëheq ai, Faton Abdullahut.

Hoxhaj, ka prezantuar qytetarët me biografinë e prurjes më të re, derisa thotë se PDK është shtëpi e madhe dhe i ka dyert e hapura për personalitete dhe profile të ndryshme profesionale.

Ky është postimi i plotë i tij:

Sot i uruam mirëseardhje në Partinë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahut. Fatoni, ka lindur në Prishtinë dhe rrjedh nga një familje intelektualësh dhe patriotike.

Është i biri i ish të burgosurit politik, Rexhep Abdullahut, i cili për shkak të veprimtarisë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ishte dënuar me 12 vite burg nga pushteti jugosllav.

Në Universitetin e Prishtinës ka përfunduar Fakultetin Juridik. Për kohë të gjatë ka jetuar në Londër dhe atje ka magjistruar në shkencat politike në njërin nga universitetet më të mira në Britani, në UCL.

Faton Abdullahu është autor i disa librave nga fusha e politikës, gjeopolitikës dhe problemeve identitare nacionale e fetare. Për kohë të gjatë është aktiv në mediat shqiptare si analist politik dhe kolumnist. Ka qenë kryeredaktor dhe gazetar në disa media brenda dhe jashtë vendit. Fatoni, për një kohë ka punuar edhe si këshilltar politik dhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës në vitet 2016-17.

Partia Demokratike e Kosovës është shtëpi e madhe dhe i ka dyert e hapura për personalitete dhe profile të ndryshme profesionale. E falendërova z. Abdullahu për vendimin që t’i bashkohet partisë tonë, pikërisht në këtë kohë kur Kosova po kalon në faza të vështira politike. Jam i bindur se qeverisja e ardhshme e PDK-së do ta nxjerrë Kosovën nga degradimi që i kanë sjellë dy ish-qeverisje të dobëta që e varfëruan vendin, keqmenaxhuan me pandeminë dhe e izoluan Kosovën.