75 Mall Live Search
14:50 / E Martë, 02 Korrik 2024 / LB

Hoxhaj: Plani i sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes është i dëmshëm, Kosova mund t’i humbasë 900 milionë euro mbështetje nga BE-ja

Tri kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për palën serbe, pamundësuan zhvillimin e takimit të nivelit të lartë javën e kaluar, në Bruksel.

Me gjithë takimet dypalëshe, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell nuk arriti të ndërmjetsonte takimin midis Kurtit dhe presidentit serb, Vuçiq.

Por, si i sheh kushtet e vendosura, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj?

Ish-kryediplomati thotë se qasja e Kurtit në dialog është thjesht një teknikë e manipulimit dhe jo strategji e negocimit.

Hoxhaj në një prononcim për IndeksOnline-n, thotë se Kurti është më shumë i shqetësuar se si të manovrojë opinionin publik, sesa ta mbrojë interesin shtetëror.

Ja pse e them këtë: Kurti nuk është takuar me Vuçiqin në Bruksel jo pse ka vendosur kushte në dialog, sepse kushtëzimin me nënshkrim të marrëveshjes duhet të bënte në shkurt dhe mars të 2023-s kur është arritur ajo, kushtëzimin e dialogut me dorëzimin e Radojçiqit kur ka ndodhur agresioni terrorist i Banjskës në shtatorin e 2023-s, por mostakimi i Kurtit me Vuçiqin dhe kushtet e tij, kanë të bëjë me një plan shumë të keq të sekuencimit që sot po e diskuton Bislimi me Petkoviqin në Bruksel”, ka thënë Hoxhaj për IndeksOnline-n.

Më tej, ai thotë se qytetarët e Kosovës dhe Kuvendi duhet të informohen se çka është ky plan i sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes, ku pranimi i tij duket se është i dëmshëm dhe mospranimi tij, po ashtu i dëmshëm, sepse Kosova, sipas tij, mund t’i humbasë rreth 900 milionë euro mbështetje nga BE-ja.

“Kjo është çfarë mua me është thënë këto ditë nga disa miq në Bruksel dhe mendoj se për këtë duhet të informohet opinioni publik! Kështu, që qeveria Kurti duhet të vendosë midis dy të këqijave dhe të shohim se çka do pranojë dhe çka refuzon! Tashti do e shohim se cili do jetë çmimi i zhbllokimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit! Për këtë duhet transparencë se çka po ndodh, por edhe përgjegjësi politike”, ka shtuar Hoxhaj.

Nënshkrimi i marrëveshjes, anulimi i letrës së Bërnabiqit dhe dorëzimi i Radojçiqit, ishin kërkesat kryesore të Kurtit për realizimin e takimit me Vuçiqin./IndeksOnline/