Hoxhaj publikon një video emocionuese: Një rrugëtim që në themel ka dashurinë për Kosovën

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, ka publikuar një video emocionuese, përmes së cilës ka treguar mbështetjen që ka marrë këto ditë të fushatës nga të gjithë simpatizantët e PDK-së.
Midis brohoritjeve “UCK” dhe fjalës “Fitore” Hoxhaj, ka treguar për tubimet që i ka mbajtur në komunat e Kosovës dhe fshatrat e tyre, përmes kësaj videoje emocionuese.
“PDK-ja e fortë e bën Kosovën më të fortë. Dilni dhe votoni, më 14 shkurt, votojeni Partinë Demokratike të Kosovës. Këtu e keni UCK-në, këtu e keni për atë që ka luftuar Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, ka thënë Hoxhaj në njërin nga tubimet, i cili shihet edhe në këtë video.
Dimë që edhe gjatë fushatës zgjedhore, publikime të shpeshta kanë dalë në media, ku u pa përkrahja që iu dha Enver Hoxhajt në secilin tubim që ka mbajtur. Pos thirrjeve në përkrahje të UÇK-së, nuk munguan as flamujt e UÇK-së dhe PDK-së.
“Ju ftoj që ta mbani mend një numër në këto zgjedhje, 134, i cili është shumë i rëndësishëm se ku do të jetë Kosova, jo vetëm më 14 shkurt dhe 15 shkurt, por ku do të jetë Kosova edhe më 2030.”, thotë Hoxhaj.