Hoxhaj shpreh solidaritetin me ish-presidentin Biden pas lajmit për diagnozën e rëndë

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar me një mesazh ngushëllues dhe përkrahës në rrjetet sociale pas lajmit të publikuar nga mediat amerikane se ish-presidenti amerikan, Joe Biden, është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës, e cila është përhapur në kocka.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka shkruar:
“Me shumë pikëllim mora lajmin për diagnozën e ish-presidentit Joe Biden. Në këto momente sfiduese, i dërgoj gjithë mbështetjen dhe urimet e mia më të sinqerta për forcë e shërim të shpejtë. Mendimet dhe lutjet e mia janë me të dhe familjen e tij”.
Ky reagim vjen në një moment të vështirë për ish-presidentin Biden, ndërsa zyra e tij ka konfirmuar se ai dhe familja e tij po shqyrtojnë opsionet e trajtimit pas një vlerësimi mjekësor që zbuloi një “nodul të vogël” në prostatë, që kërkonte ekzaminime të mëtejshme.
Hoxhaj, si një figurë e rëndësishme në politikën e Kosovës, ka ruajtur gjithnjë lidhje të ngushta me liderë ndërkombëtarë dhe është shprehur vazhdimisht mirënjohës për përkrahjen amerikane ndaj Kosovës.