Hoxhaj thotë se Kurti sot i dha një goditje tjetër medias dhe fjalës së lirë në vend

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar pasi sot Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal me shumicë votash ka iniciuar shkarkimin e bordit të Radio Televizionit Publik të Kosovës.
Ai ka thënë se qeveritë me prirje autoritare synim dhe qëllim kanë kontrollimin e vullnetit politik, mediave dhe të opinionit publik. Fatkeqësisht, sipas tij, këtë manual po e zbaton me përpikmëri Qeveria Kurti.
“Edhe pse e dalë nga një proces zgjedhor demokratik dhe shembull për rajonin, puna e parë që bëri Albin Kurti ishte nxitja e shkarkimit të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Sot, ai shkarkoi edhe bordin e RTK-së, duke i dhënë edhe një goditje tjetër medias dhe fjalës së lirë në vend”, ka shkruar ndër të tjera ai, transmeton “Indeksonline”.
Postimi i plotë:
Qeveritë me prirje autoritare synim dhe qëllim kanë kontrollimin e vullnetit politik, mediave dhe të opinionit publik. Fatkeqësisht, këtë manual po e zbaton me përpikmëri Qeveria Kurti II. Edhe pse e dalë nga një proces zgjedhor demokratik dhe shembull për rajonin, puna e parë që bëri Albin Kurti ishte nxitja e shkarkimit të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Sot, ai shkarkoi edhe bordin e RTK-së, duke i dhënë edhe një goditje tjetër medias dhe fjalës së lirë në vend. Atë që e kemi paralajmëruar si PDK edhe po ndodhë, dy gjëra do ta karakterizojnë këtë Qeveri: Mashtrimet politike në mungesë të një programi të mirëfilltë qeverisës dhe autoritarizmi, si e vetmja metodë të cilën ata e njohin.