07:23 / E Mërkurë, 23 Shkurt 2022 / OSH

​Hoxhaj tregon për përplasjen e ashpër me ish-ambasadorin rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka treguar për herë të parë për përballjen e ashpër që pati në vitin 2011 me ish-ambasadorin rus në OKB.

Hoxhaj, derisa komentoi ngjarjet e fundit në Ukrainë dhe hapat që ka ndërmarrë Rusia, është pyetur për rastin e tij, derisa ka qenë ministër i Jashtëm i Kosovës në vitin 2011, derisa ishte pjesë e takimeve në Këshill të Sigurimit të OKB-së, për një përballje të ashpër para kamerave që pati Hoxhaj atë kohë me ish-ambasadorin e Rusisë në KS të OKB-së, Vitaly Churkin.

“Ajo ka qenë një mbledhje e mbyllur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ka qenë pas situatës në veri të vendit në vitin 2011, kemi pasur një përplasje brutale të brendshme. Ai kishte problem me mënyrën e reagimit tim. Unë e ndezsha mikrofonin dhe ofroja argumente të shkurta dhe lineare për çdo temë që ngrihej dhe dikur e humbi durimin ai, se pse unë kam të drejt me marr fjalën disa herë. Unë isha pjesë e tavolinës dhe tema ishte Kosova, dhe isha ministër i Jashtëm i Kosovës. Kemi pasur komunikim shpeshherë në sallë para mbledhjeve, por kur dolëm para kamerave, atë nervozen e sallës që e pati ai, e shprehu derisa unë isha duke folur në foltore. Kërkonte që unë ta ndërprisja fjalën time para gazetarëve. Ai insistonte disa herë kurse unë e injorova derisa e kreva fjalën, por pjesa më e mirë ishte që gazetarët perëndimorë për ta bërë atë nervoz bënin pyetje, dhe pastaj ai aty eskaloi situata e reagimit të tij”, tregoi Hoxhaj në Kanal 10.

Para disa vitesh, teksa Hoxhaj po u përgjigjej gazetarëve në ndërtesën e OKB-së, Churkin iu afrua dhe i tha se nuk mund ta bënte një gjë të tillë pasi që Kosova nuk ishte pjesë e OKB-së.

Hoxhaj nuk e mori parasysh dhe përfundoi konferencën, gjë që nuk i pëlqeu aspak Churkinit.

Diplomati i karrierës nuk la mundësi pa shfrytëzuar për ta paraqitur Kosovën si vend të errët, por pjesë të Serbisë.

“Kosova është qendër e trajnimit të terroristëve të ISIS-it”, tha në një rast.

“Çfarë po bën Kosova në samitin anti-terror”, murmuriti në një rast tjetër.

Për këtë rast u pat raportuar në të gjitha mediat kosovare dhe ndërkombëtare në atë kohë