Hoxhaj viziton familjen e Rexhep Malës: PDK asnjëherë s’i harron rrënjët tek idealizmi i veprimtarëve

Nesër bëhen 37 vite prej kur në Kodrën e Trimave në Prishtinë ushtuan pushkët e lirisë në mesnatën mes 11 dhe 12 janarit 1984.
Me këtë rast, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhak, ka vizituar familjen e Rexhep Malës.
“Dy trima, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, ranë heroikisht duke luftuar me policinë jugosllave. Pushkët e tyre ishin paralajmërimi i pushkëve të vajzave dhe djemve të UÇK-së që do ta sillnin lirinë 15 vite më vonë.
Unë isha shumë i nderuar që për këtë përvjetor e vizitova familjen e Rexhep Malës, një familje e cila ka sakrifikuar shumë për lirinë e atdheut. Me këtë rast, e sigurova familjen Mala se sakrifica e tyre do të shërbejë përjetësisht si inspirim i ndërtimit të shtetit të Kosovës”, shkruan Hoxhaj.
Njëkohësisht, Hoxhaj thotë se familjen Mala e ka garantuar që PDK-ja asnjëherë nuk do t’i harrojë rrënjët e saj tek idealizmi i veprimtarëve të Ilegales dhe tek gjaku i dëshmorëve të UÇK-së.
“Lavdi dhe nderim i përjetshëm dëshmorëve të kombit!”, përfundon postimin ai./Indeksonline