Albulena Haxhiu sjell të reja mbi rastin e Astrit Deharit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur sot përpara mediave lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Ministrja e Drejtësisë ka pohuar se vdekja e Astrit Deharit ne Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ditën e 5 nëntorit 2016, i përket rrethanave të dyshimta.
Ajo ka deklaruar se zhvillimet që kur ka ndodhur ngjarja e deri më sot, kanë bërë që të ketë dyshime mbi veprimin e institucioneve, raporton Indeksonline.
“Kur ka ndodhur ky rast ka pasur veprime të ndryshme dhe situata që na bëjnë neve të kemi dyshime mbi mënyrat se si kane vepruar institucionet” deklaroi ministrja e Drejtësisë.
Haxhiu shtoi se ekziston edhe dyshimi se rasti është tentuar të manipulohet.
“Sipas raportit të Inspektoratit, kryeinspektori në vitin 2016, lidhur me rastin në fjalë ka nxjerrë dy raporte, kontradiktore, njëra më 14.11.2016 dhe tjetra më datë 21.11.2016. Arsyeja përse inspektorati ka vlerësuar këtë si problem është sepse në raportin e parë të kryeinspektorit thuhet se po bëhet inspektim i jashtëzakonshëm, duke e cilësuar rastin si vetëvrasje, duke tejkaluar kështu kompetencat ligjore sepse kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë nuk ka të drejt që të cilësojë nëse është vrasje apo vetëvrasje” deklaroi ministrja Haxhiu.
Ajo shtoi se në raportin e dytë, të dalur 7 ditë pas raportit të parë, thuhet se po bëhet fjalë vetëm për inspektim të vdekjes.
Haxhiu pohoi se Ministria e Drejtësisë nuk është kompetente për të trajtuar rastin, por që ka kërkuar inspektim të detajuar të trajtimit të rastit.
“Që nga marrja e detyrës nga zyrtare të ndryshëm, kemi pranuar informata të ndryshme lidhur me përfshirjen e personave të ndryshëm në këtë rast. Ministria e Drejtësisë do të jetë pranë institucioneve për gjithçka që ata kërkojnë.”/Indeksonline/