Avokati i familjes Tetaj: Në ferr ka vend për të gjithë!

Avokati i familjes së Agonis Tetajt, Berat Tmava, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë lidhur me “Rastin Tetaj”.
Gjykata e Pejës i dha vetëm 7 vjet 6 muaj burg Shaban Gogajt, duke e cilësuar si “Vrasje nga pakujdësia”.
Kjo, sipas Tmavës, ka qenë e ditur, pasi seancat gjyqësore shtyheshin “për arsye banale”.
“Dy fjalë për Trupin Gjykues, me vendime të tilla nuk mund ta mbuloni anshmërinë e juaj nuk e di se si do të silleshit ju po që se i ndjeri do të ishte anëtar i familjes suaj. Një ditë do të ju ndjekë keqardhja për këtë vendim dhe ajo ditë nuk do të jetë e largët, si dhe do të bindeni se ai vendim nuk ishte vendim i drejtë por vendim i ndikuar” shkroi Tmava.
Ai e përfundoi reagimin e tij me thënien e Dostojevskit: Mos u ngutni se në ferr ka vend për të gjithë!
Ky është reagimi i plotë i avoktatit Berat Tmava:
Sigurisht në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar familjes Tetaj, të cileve ju vra më i dashuri i tyre Agonisi, nuk kam mbetur i befasuar me këtë vendim.
Kjo për faktin se vetë odisejada e shtyerjes së seancave për arsye banale na ka bindur se gjykimi do të vazhdoj vetëm atëherë kur pala e akuzuar është bindur se do të shpallet fajtor vetëm për vrasje nga pakujdesia.
Gjykata me këtë vendim krijoi pasiguri juridike tek qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kjo çka ka ndodhur sot na kujton kohën e gladiatorëve, kur gladiatorët vdisnin në arenë nga kthetrat e luanëve ndërsa të pasurit të cilët qëndronin në lozhë duartrokitnin!
Dy fjalë për Trupin Gjykues, me vendime të tilla nuk mund ta mbuloni anshmërinë e juaj nuk e di se si do të silleshit ju po që se i ndjeri do të ishte anëtar i familjes suaj. Një ditë do të ju ndjekë keqardhja për këtë vendim dhe ajo ditë nuk do të jetë e largët, si dhe do të bindeni se ai vendim nuk ishte vendim i drejtë por vendim i ndikuar.
Dostojevski jo më kot ka thënë: Mos u ngutni se në ferr ka vend për të gjithë!