Avokati i Thaçit: UÇK ka luftuar për atdheun, i vetmi rrezik ka qenë policia ushtarake jugosllave

Gjyqi në Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nisur punimet për ditën e dytë.
Në seancën e sotme në Hagë të Holandës do të jenë palët mbrojtëse që do t’i shpalosin argumentet e tyre.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë nisur së gjykuari nga e hëna. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gregory Kehoe, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi është i pari që ka nisur shpalosjen e argumenteve dhe për këtë do t’i ketë në dispozicion tri orë.
“Janë kryer krime, por jo të motivuara. Thaçi s’e mohon se disa krime janë kryer nga disa individë shqiptarë. E ka informuar edhe në Këshillin e Sigurimit, por e kundërshton pretendimin se janë kryer krime nga udhëheqja e UÇK-së”, ka thënë ndër të tjera ai.