Deputetja e LDK-së për Kurtin: Ky meriton të kthehet vetë mbrapa, dhe t’ia fillojë nga e para, sepse pa të, Kosova do ecë përpara

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunajku-Rexhepi ka reaguar për mospjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në takimin e ftuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Deputetja e LDK-së, ka thënë se për çudi, Kurti e caktoi në Tiranë një zëvendës të tij, duke anashkaluar përfaqësimin dinjitoz të Kosovës për teke dhe ego të tij personale.
Postimi i saj i plotë:
Skandali radhës
Kryeministri Kosovës i ftuar në takimin joformal të liderëve ballkanikë dhe zyrtarëve evropianë në Tiranë, që qëllim ka kërkesat e ndryshme e projekte për vendet ballkanike dhe aq të rëndësishme për vendin tonë, e anuloi pjesëmarrjen dhe u arsyetua se ka caktuar udhëtim në Kretë të Greqisë në një simpozium filozofik aspak të rëndësishëm për vendin.
Dhe për çudi e caktoi në Tiranë zv. e tij, duke e injoruar dhe anashkaluar përfaqësimin dinjitoz të Kosovës për teke dhe ego të tij personale.
I zgjedhur nga populli për të mbrojtur interesat e vendit, ky kryeministër jo që nuk i ka sjellë asgjë të mirë vendit tonë, por i ka sjellur vetëm dëme, sanksione, izolim dhe jetë të rënduar qytetarëve. Po i njëjti luan me popullin e tij, bën hajgare me vendin e vet. Nga bashkimi kombëtar me Shqipërinë si kauzë, na ktheu në raporte kurrë më të këqija në histori, me aleatët perëndimorë. Me arrogancë, ego e inate, nënçmim e përbuzje ndaj vendit amë, aleatëve evropianë e SHBA-të, po e kthen Kosovën mbrapa, shumë mbrapa. Ky meriton të kthehet vetë mbrapa, aty ku ka qenë në opozitë dhe t’ia fillojë nga e para, sepse pa të, Kosova do ecë përpara. Është koha që populli i Kosovës të zgjohet dhe ta shohë që kauzat e tij kanë qenë mashtrime për pushtet, ndërsa këtë shtet e këtë popull e ka injoruar e nënshtruar, duke shkelur mbi interesa madhore me të dy këmbët!