13:32 / E Hënë, 14 Shkurt 2022 / MSH

Gërvalla-Schwarz jep detaje mbi planet e “Guxo”

Donika Gërvalla-Schwarz, e shoqëruar nga anëtarë të tjerë të Listës Guxo, ka prezantuar përpara mediave planet e reja të kësaj liste, e cila sot ka paraqitur kërkesën në KQZ për t’u regjistruar si parti politike.

Me  këtë rast, Gërvalla-Schwarz tha se qëllimet kryesore të kësaj partie do të jenë arsimi, prodhimi e ekonomia, dhe digjitalizimi.

Duke përshëndetur diasporën që ka kontribuar në Kosovë me më shumë se 1 miliard euro vitin që lamë pas, ajo tha se rinia duhet të punojë për zgjerimin e këtij rrjeti social.

Ajo gjithashtu njoftoi se do të jetë bartëse e kësaj liste deri në organizimin  e kuvendit të partisë.

“Kam marr përsipër drejtimin deri ne kuvendin zgjedhor. Deri atë kohë më shumë punojmë si grup sesa si individ, por në aspektin formal, unë nënshkruaj, deri në mbajtjen e kuvendit” tha ajo.

E pyetur se a do të shqyrtojnë mundësinë e bashkëpunimit me LDK-në apo partitë e tjera opozitare, Gërvalla-Schwarz tha: “Nuk e shoh bashkëpunimin me LDK-në. Ne jemi angazhuar në partneritetin me Lëvizjen Vetëvendosje. Nëse me pyetni për tash dhe për vitet e ardhshme, ne e shohim vetëm partneritetin me LVV-në”.

Ajo gjithashtu njoftoi se numri i deputetëve në Kuvend nga Lista Guxo do të jetë i njëjtë, teksa nënkryetarin e partisë dhe udhëheqësit e tjerë do të zgjedhën pas mbajtjes së kuvendit të partisë./Indeksonline/