Policia jep detaje për rastin ku një psikologe e gjimnazit në Pejë thotë se është kërcënuar me vrasje

Një psikologe e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë po pretendon se është kërcënuar me vrasje.
Kështu ka pohuar për Indeksonline vetë psikologia, derisa thotë se kërcënimi iu bë më datë 2 mars nga një profesoreshë e po të njëjtës shkollë (emër i njohur për redaksinë).
Siç tregon ajo, profesoresha e ka sulmuar fizikisht një nxënëse, e këtë rast e ka trajtuar psikologia.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka thënë për Indeksonline se rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës.
Policia bën me dije se lidhur me ankesën, janë intervistuar disa persona.
Më poshtë e gjeni përgjigjen e plotë të Policisë së Kosovës për këtë rast:
“Më datë 03. 03. 2022, rreth orës 10:00, ankuesja E. Z. psikologe në SHM Gjimnazi “Badri Pejani” në Pejë, ka raportuar në Stacionin Policor Pejë, se është Kanosur nga Prof. K. B.
Lidhur me ankesën, hetuesit e Stacionit Policor Pejë, kanë intervistuar viktimën, dëshmitaret, të dyshuarën dhe Drejtorin e Shkollës.
Me urdhër të Prokurorit rasti iniciohet “Lëndim i Lehtë Trupor” gjersa për veprën Kanosje nuk kishte elemente të veprës penale”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Indeksonline.