75 Mall Live Search
15:25 / E Enjte, 20 Prill 2023 / LB

Komisioni Evropian përshëndet nënshkrimin për liberalizimin e vizave

Komisioni Evropian ka përshëndetur nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian.

Në komunikatën e lëshuar nga selia e KE-së thuhet se Kosova në vazhdimësi i ka përmbushur të gjitha standardet dhe vazhdimisht ka treguar përkushtimin e saj.

“Udhëtimi pa viza për Kosovën do të bëhet realitet më së voni më 1 janar 2024. Komisioni mirëpret marrëveshjen e nënshkruar dje me Parlamentin dhe Këshillin për propozimin e Komisionit. Kjo u mundëson mbajtësve të pasaportave nga Kosova të udhëtojnë në BE pa vizë për një maksimum 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore. Me këtë arritje, të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor së shpejti do të kenë akçes pa viza në BE”, ka deklaruar zёdhёnёsja e Komisionit Evropian, Annitta Hipper.

Nga Komisioni Evropian porositet se udhëtimi pa viza sjell përfitime tё rёndёsishme për qytetarët nga të dyja palët, duke forcuar më tej marrëdhëniet e BE-së me Kosovën.

Ndryshe, tё mёrkurёn mё 19 prill nё Strasburg u nёnshkura akti ligjor sipas tё cilit Kosova hyn në listёn e shteteve tё cilave nuk iu nevojitet viza hyrëse në BE. Kosovarët do mund tё lëvizin lirshëm nga dita e parë e vitit tjetër.

Në komunikatën e Komisionit Evropian rikujtohet se që në vitin 2016, Komisioni i kishte propozuar Parlamentit dhe Këshillit t’u jep qytetarëve të Kosovës mundësinë e udhëtimit pa viza. Pastaj në vitin 2018 Komisioni kishte vlerësuar se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kërkesat nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.