75 Mall Live Search
09:34 / E Enjte, 29 Shtator 2022 / LB

Matoshi: SBAShK-u është në të drejtën e vet, pezullimi i grevës është akt patriotik

SBAShK ka kërkuar mendimin e anëtarësisë së saj për pezullimin e grevës deri në janar, dhe fillimin e procesit mësimor nga e hëna e javës së ardhshme.

Ky veprim është mirëpritur nga ana e njohësit të çështjeve politike, Halil Matoshi.

Në një shkrim në Facebook, Matoshi ka thënë se SBAShk-u është në të drejtën e vet dhe se pezullimi i grevës është akt patriotik.

Kushdo që, sipas tij, nga tabori qeveritar e sheh këtë akt të vullnetit të mirë të sindikatave si thyerje të grevës e fitore të pushtetit, është veç një mbetje primitive dhe element kundërshoqëror e kundërshtetëror.

Postimi i plotë i Matoshit:

SBAShK-u asht në të drejtën e vet – pezullimi i grevës asht akt patriotik!

Pezullimi i grevës deri në janar 2023 dhe nisja e mësimit më tre tetor (tue i lanë hapësinë Qeverisë për reflektim në dialogun social) asht lajm shumë i mirë që vjen nga SBAShK dhe sprovë për pushtetin.

Kushdo që nga tabori qeveritar e sheh këtë akt të vullnetit të mirë të Sindikatave, si thyemje të grevës e fitore të pushtetit, asht veç nji mbetje primitive dhe element kundërshoqor e kundërshtetnor!

Nëse pushteti (si bartës i dhunës legjitime) “ia palon” qytetarit, sindikalistit ose mësuesve nuk flet asgja për këto subjekte, por për karakterin e vet pushtetit.

Në thelb, kjo asht gjuhë rrugaçnie dhe jo institucionaliste.

Triumfalizmi flet për vetitë egërshane dhe dhunshme të eksponentëve të pushtetit dhe vet pushtetit!

Sëkëndejmi lëshimi pe i grevistave në çashtje që prekin interesin e fëmijëve asht patriotizëm!

Shteti asht në potez dhe ka shans të tregojë se asht në nivel të detyrës, pra funksional e jo bllokues i sistemit!

Sindikatat kanë të drejtë!

Pezullone grevën e mos bini pre e nënvetëdijes së shtresëzueme primitive të elementëve aksidentalë në pushtet!