Ministrja Hajdari reagon pasi AKK dorëzoi kallëzim penal kundër saj

Agjencia Kundër Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari. Ajo dyshohet për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë.
Menjëherë pas këtij lajmi, ka reaguar ministrja Rozeta Hajdari.
Kjo e fundit ka thënë se ajo ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarim të pasurisë dhe deklarimet përkatëse ndodhe në faqen e AKK-së.
“Sot u njoftova nga mediat se Agjencia kundër Korrupcionit (AKK) ka dorëzuar kallëzim penal kundër meje për gjoja mos deklarim ose deklarim të pasaktë të pasurisë. Gjatë gjithë kohës si zyrtare publike, unë kam përmbushur detyrimin ligjor për deklarim të pasurisë dhe deklarimet përkatëse ndodhen në faqen e AKK-së”, ka shkruar ajo në Facebook, transmeton Indeksonline.